Themeluesi i Amazon, Jeff Bezos, ka surprizuar me deklaratat e tij për presidentin amerikan Donald Trump, duke e vlerësuar si më të pjekur dhe më të disiplinuar krahasuar me mandatin e tij të parë në Shtëpinë e Bardhë.
Në një intervistë për CNBC, miliarderi amerikan tha se Trump ka treguar qasje më të konsoliduar në mandatin e dytë dhe se në disa çështje meriton vlerësim.
“Duhet t’i japim meritat që i takojnë”, ka deklaruar Bezos.
Ai shtoi se Trump “ka shumë ide të mira” dhe se “ka pasur të drejtë në disa çështje”, ndonëse theksoi se nuk mban anë politike, por mbështet atë që e konsideron në interes të Shteteve të Bashkuara.
Bezos foli edhe për debatin mbi taksimin e të pasurve, duke argumentuar se rritja e taksave për miliarderët nuk do të zgjidhte problemet ekonomike të vendit.
“Paguaj miliarda dollarë taksa. Edhe nëse do të paguaja dyfish, kjo nuk do të zgjidhte problemet e qytetarëve amerikanë”, u shpreh ai.
Sipas tij, politikanët shpesh fokusohen në gjetjen e “fajtorëve” për problemet ekonomike në vend që të adresojnë shkaqet reale.
Ai shtoi se barra tatimore për shtresat me të ardhura të ulëta është disproporcionale dhe tha se gjysma e amerikanëve me të ardhurat më të ulëta nuk duhet të paguajnë fare taksë federale mbi të ardhurat.
