Bashkimi Evropian po shqyrton mundësinë e rihapjes së kanaleve diplomatike me Rusinë për luftën në Ukrainë, ndërsa në tavolinë janë përmendur emrat e ish-kancelares gjermane Angela Merkel dhe ish-presidentit të Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi, si negociatorë të mundshëm me presidentin rus Vladimir Putin.
Sipas një raportimi të Financial Times, qeveritë e vendeve anëtare të BE-së po diskutojnë nëse një figurë me peshë politike dhe diplomatike mund të përfaqësojë bllokun evropian në bisedimet eventuale me Kremlinin.
Çështja pritet të diskutohet javën e ardhshme në takimin e ministrave të jashtëm të BE-së në Qipro, ku fokusi nuk do të jetë vetëm te emrat potencialë, por edhe te vetë korniza e një dialogu të mundshëm me Moskën.
Sipas raportit, ministrat do të shqyrtojnë çfarë kërkon Evropa nga një marrëdhënie pas konfliktit me Rusinë, cilat janë vijat e kuqe për një marrëveshje të mundshme për Ukrainën dhe cilat duhet të jenë parakushtet për nisjen e bisedimeve me Putinin.
Interesi për një kanal të ri diplomatik duket se është shtuar pasi Uashingtoni dhe Kievi kanë sinjalizuar mbështetje për përfshirje më aktive të Evropës në dialogun me Moskën.
E pyetur për mundësinë e një roli të tillë, Angela Merkel ka treguar rezervë, duke lënë të kuptohet se nuk e sheh veten si zgjedhjen më të përshtatshme.
“Ndoshta të tjerët do të ishin më të përshtatshëm. Putini i merr seriozisht vetëm liderët që janë aktualisht në detyrë”, citohet të ketë thënë ish-kancelarja gjermane.
Diskutimet sinjalizojnë një ndryshim të mundshëm në qasjen evropiane ndaj konfliktit, teksa lufta në Ukrainë vazhdon të mbetet një nga sfidat më të mëdha gjeopolitike për kontinentin.

