Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në prezantimin e projektit ideor për rinovimin dhe zgjerimin e Qendrës së Studentëve në Prishtinë, një investim i madh që lidhet me përgatitjet për Lojërat Mesdhetare 2030.
Projekti synon transformimin e plotë të kampusit universitar, i cili gjatë Lojërave Mesdhetare do të shërbejë si “Fshati i Atletëve”, ndërsa më pas do të mbetet në funksion të studentëve dhe arsimit të lartë në Kosovë.
Sipas planit të prezantuar, projekti parasheh:
- Zgjerimin e kapaciteteve akomoduese në 4,500 shtretër
- Renovimin e plotë të konvikteve ekzistuese
- Rinovimin e palestrës “1 Tetori”
- Modernizimin e mensës së studentëve
- Ndërtimin e 3 objekteve të reja të konvikteve
- Ndërtimin e një salle multi-funksionale
- Ndërtimin e një pishine gjysmë-olimpike
- Hapësira të reja arsimore, sportive, rekreative dhe argëtuese
Kurti tha se qeveria synon jo vetëm përmirësimin e kushteve të jetesës për studentët, por edhe rritjen e mbështetjes financiare.
“Do ta dyfishojmë edhe buxhetin për bursa edhe numrin e bursave për studentë,” deklaroi ai.
Ai theksoi se ky nuk është vetëm një projekt sportiv për vitin 2030, por një investim afatgjatë për universitetin dhe gjeneratat e ardhshme.
Projekti po zhvillohet në bashkëpunim me Agjencinë Franceze për Zhvillim (AFD), në kuadër të partneritetit Kosovë-Francë për përgatitjet e Lojërave Mesdhetare.
Mesazhi i Kurtit ishte i qartë: 2030 nuk shihet si fundi i projektit, por si fillimi i përdorimit të një infrastrukture moderne që do t’i mbetet Kosovës.

