Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Ekipin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT), të udhëhequr nga Koordinatori për Zhvillim i OKB-së, Stephen O’Malley.
Gjatë takimit, Kurti dorëzoi zyrtarisht dokumentin e miratimit të Planit Strategjik të UNKT-së për periudhën 2026–2030, duke riafirmuar përkushtimin e përbashkët për avancimin e objektivave zhvillimore dhe zbatimin e Agjendës 2030.
Sipas njoftimit, kryeministri në detyrë theksoi se prioritetet e përcaktuara në plan – përfshirë zhvillimin e kapitalit njerëzor, forcimin e llogaridhënies në qeverisje, sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm – janë në përputhje me prioritetet e Qeverisë së Kosovës dhe nevojat e qytetarëve.
Ai nënvizoi se synimi kryesor mbetet shndërrimi i këtyre prioriteteve në rezultate konkrete për qytetarët.
“Qëllimi ynë është që këto prioritete të përkthehen në përmirësime konkrete: shërbime më të mira, më shumë vende pune dhe mundësi punësimi, institucione më të forta dhe zhvillim të qëndrueshëm nga i cili përfitojnë të gjitha komunitetet”, theksoi Kurti.
Në fund të takimit, ai falënderoi Ekipin e Kombeve të Bashkuara për mbështetjen e vazhdueshme, ekspertizën dhe kontributin në proceset zhvillimore të Republikës së Kosovës.

