Këshilli i Bashkimit Evropian ka konfirmuar zyrtarisht zhvillimin e konferencës së tetë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së, e cila do të mbahet më 26 maj në Bruksel, duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në procesin e negociatave për anëtarësim.
Sipas njoftimit zyrtar, takimi do të shërbejë për konfirmimin e përmbushjes së standardeve të ndërmjetme nga Shqipëria dhe për përcaktimin e standardeve përmbyllëse për Grupin 1 “Themeloret”, i cili konsiderohet grupi më i rëndësishëm i negociatave.
Ky grup përfshin kapitujt që lidhen me:
- Gjyqësorin dhe të drejtat themelore;
- Drejtësinë, lirinë dhe sigurinë;
- Prokurimet publike;
- Statistikat;
- Kontrollin financiar.
Po ashtu, në standardet përmbyllëse do të përfshihen edhe çështje që lidhen me funksionimin e institucioneve demokratike, reformën në administratën publike dhe kriteret ekonomike.
Në konferencën e 26 majit pritet të marrë pjesë edhe kryeministri Edi Rama së bashku me përfaqësues të kabinetit qeveritar.
Ndërkohë, Grupi i Punës për Zgjerimin në Këshillin e BE-së (COELA) ka dhënë dritën jeshile për raportin IBAR (Raporti i Vlerësimit të Pikave të Ndërmjetme) për Shqipërinë, pas dakordësimit të 27 vendeve anëtare mbi një draft të përbashkët.
Megjithatë, dokumenti i miratuar paraqitet me një gjuhë më të ashpër krahasuar me propozimin fillestar të Komisionit Evropian. Në raport vihet theks i veçantë te rezultatet konkrete në sundimin e ligjit dhe reformat institucionale.
Në fokus të vlerësimit mbetet puna e SPAK-ut dhe shqetësimet për presionet politike ndaj institucioneve të drejtësisë, ndërsa korrupsioni cilësohet si një nga sfidat kryesore për vendin.
Ky zhvillim konsiderohet si një moment i rëndësishëm për ecurinë e negociatave, pasi përmbushja e standardeve të Grupit “Themeloret” vlerësohet si bazë për avancimin dhe mbylljen e kapitujve të tjerë të procesit integrues.

