Lideri i Partisë Demokratike Sllovene (SDS), Janez Janša, është rikthyer në krye të qeverisë së Sllovenisë, pasi Parlamenti i vendit votoi pro mandatit të tij të katërt si kryeministër.
Janša siguroi 51 vota nga 87 deputetë pjesëmarrës, pas arritjes së një marrëveshjeje koalicioni me disa parti të djathta parlamentare, duke i dhënë fund ngërçit politik që kishte përfshirë vendin pas zgjedhjeve parlamentare të marsit.
Vetëm pak ditë më parë, Janša kishte bërë të ditur se partia e tij kishte arritur të siguronte shumicën e nevojshme parlamentare për krijimin e qeverisë së re.
Në deklaratën e tij pas votimit, ai kritikoi kundërshtarët politikë, duke thënë se nuk arritën të ndërtonin një shumicë funksionale.
“Të tjerët u përpoqën të formonin koalicion, por dështuan. Ne e ndërtuam ndryshe, mbi bazë programi dhe hap pas hapi”, deklaroi Janša.
Kriza politike në Slloveni nisi pas zgjedhjeve parlamentare të marsit, kur kandidati liberal Robert Golob fitoi me rezultat të ngushtë ndaj Janšës, por nuk arriti të sigurojë mbështetjen e nevojshme për krijimin e qeverisë. Dështimi për të ndërtuar koalicion i hapi rrugë negociatave të reja të Janšës me forcat konservatore dhe nacionaliste.
Rikthimi i Janšës shihet me rëndësi edhe në skenën politike evropiane. Ai konsiderohet prej vitesh një nga aleatët më të afërt të Donald Trump në Evropë dhe shpesh është krahasuar me liderë konservatorë dhe populistë si Viktor Orbán.
Pas votimit, reagoi edhe presidentja e Komisionit Evropian, e cila e uroi Janšën për rikthimin në detyrë dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim lidhur me sfidat e përbashkëta evropiane.
Janez Janša ka drejtuar më parë qeverinë sllovene në tre mandate dhe njihet për qëndrimet e tij të ashpra ndaj emigracionit, mediave dhe politikave liberale evropiane. Rikthimi i tij pritet të sjellë një orientim më konservator të politikës së Sllovenisë dhe një afrim më të madh me kampin e djathtë evropian.

