Një raport i ri i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) e vlerëson Ballkanin Perëndimor si një rajon me rëndësi strategjike për sigurinë dhe interesat ekonomike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke theksuar se stabiliteti në rajon ndikon drejtpërdrejt në sigurinë dhe prosperitetin amerikan.
Dokumenti me titull “Politika e Shteteve të Bashkuara për Promovimin e Stabilitetit dhe Prosperitetit në Ballkanin Perëndimor”, i publikuar në faqen zyrtare të DASH-it, është hartuar pas një kërkese të Kongresit amerikan dhe përshkruan prioritetet strategjike të SHBA-së në rajon.
Sipas raportit, administrata amerikane nuk synon më politika të tipit “ndërtim shtetesh”, por partneritete të bazuara në përfitim të ndërsjellë dhe stabilitet afatgjatë.
“Politika amerikane në Ballkanin Perëndimor nuk ka të bëjë me shpëtim apo rindërtim, por me stabilitet dhe partneritete me përfitim të ndërsjellë”, thuhet në dokument.
Raporti identifikon disa prioritete kryesore:
- Ruajtjen e stabilitetit rajonal;
- Kundërshtimin e ndikimit të Rusisë dhe Kinës;
- Rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar;
- Investimet në energji dhe infrastrukturë;
- Luftën kundër krimit të organizuar;
- Forcimin e bashkëpunimit në siguri.
Sa i përket Kosovës, SHBA riafirmon mbështetjen për dialogun Kosovë–Serbi dhe inkurajon të dyja palët drejt normalizimit të marrëdhënieve përmes një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të pranueshme.
Raporti nënvizon gjithashtu rëndësinë e pranisë së trupave amerikane në misionin e KFOR-it, duke e cilësuar atë si një element kyç për ruajtjen e sigurisë dhe lirisë së lëvizjes në Kosovë. Po ashtu përmendet mbështetja për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe projektet energjetike në vend.
Në raport, Rusia dhe Kina përmenden si faktorë që përpiqen të shfrytëzojnë dobësitë e rajonit për të zgjeruar ndikimin e tyre politik dhe ekonomik.
Ndërkohë, DASH vlerëson se grupet e krimit të organizuar nga Ballkani Perëndimor paraqesin kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë amerikane, për shkak të lidhjeve me trafikimin e drogës, pastrimin e parave dhe krimin kibernetik.
Në aspektin ekonomik, raporti e cilëson Ballkanin Perëndimor si një rajon me potencial të madh për investime amerikane, duke përmendur popullsinë prej rreth 18 milionë banorësh, burimet natyrore dhe sektorin teknologjik në zhvillim.

