Prishtina ka prezantuar një shërbim të ri për qytetarët, i cili mundëson largimin falas të mobileve të vjetra dhe pajisjeve të mëdha shtëpiake, me qëllim përmirësimin e pastërtisë dhe menaxhimit të mbeturinave urbane.
Nisma është lansuar nga Drejtoria e Shërbimeve Publike e Komunës së Prishtinës në kuadër të fushatës “Pastërti, Disiplinë, Kulturë”.
Sipas njoftimit, qytetarët mund të paraqesin kërkesën në mënyrë të shpejtë përmes platformës së dedikuar, duke ngarkuar fotografi, lokacionin dhe duke zgjedhur orarin që u përshtatet.
Si funksionon shërbimi?
Procesi zhvillohet në tre hapa:
- Regjistrimi me numër telefoni dhe kod verifikimi
- Dërgimi i kërkesës me fotografi dhe adresë
- Marrja e pajisjeve nga ekipet komunale në datën e caktuar
Sipas komunës, shërbimi ofrohet pa pagesë për qytetarët.
Çfarë përfshihet në shërbim?
Komuna ka bërë të ditur se do të mblidhen:
- Mobile dhe dollapë të vjetër
- Tepiha
- Pajisje elektrike
- Pajisje sanitare
- Sende të tjera me përmasa të mëdha
Ndërkohë, mbeturinat e zakonshme dhe materialet e rrezikshme, si kimikatet apo bateritë industriale, nuk përfshihen në këtë shërbim dhe për to kërkohet kontakt i drejtpërdrejtë me institucionet përkatëse.
Sipas njoftimit, qëllimi i projektit është krijimi i një sistemi më të organizuar për menaxhimin e mbetjeve dhe përmirësimi i ambientit urban në kryeqytet.
https://www.mbeturinat.com/
https://www.mbeturinat.com/

