Kina ka realizuar me sukses lëshimin e misionit hapësinor Shenzhou-23, duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në programin e saj kozmik. Për herë të parë, objektivi kryesor i misionit është testimi i një qëndrimi deri në një vit në orbitë.
Anija u nis me raketën Long March 2-F nga qendra hapësinore Jiuquan Satellite Launch Center, duke transportuar një ekuipazh prej tre astronautësh drejt stacionit hapësinor Tiangong.
Ndryshe nga misionet e mëparshme kineze, të cilat zakonisht kanë zgjatur rreth gjashtë muaj, Shenzhou-23 do të shërbejë për testimin e efekteve të qëndrimit afatgjatë në hapësirë. Kjo konsiderohet pjesë e përgatitjeve të Pekinit për synimin e dërgimit të astronautëve në Hënë deri në vitin 2030.
Në ekuipazh përfshihet për herë të parë edhe Li Zhiying, ish-oficere policie 43-vjeçare nga Hong Kongu. Ajo shoqërohet nga Zhu Yangzhu dhe Zhang Zhiyuan.
Gjatë misionit, astronautët do të zhvillojnë eksperimente në fusha të ndryshme shkencore, përfshirë biologjinë, mjekësinë, fizikën dhe shkencën e materialeve.
Një ndër objektivat kryesorë është studimi i ndikimit të mikrogravitetit në organizmin e njeriut, duke përfshirë humbjen e masës kockore, dobësimin e muskujve dhe efektet psikologjike të izolimit afatgjatë.
Misioni është pjesë e strategjisë afatgjatë të Kinës për eksplorimin e Hënës dhe Marsit, si dhe për krijimin e një stacioni ndërkombëtar kërkimor hënor deri në vitin 2035. Ndërkohë, Kina po zhvillon edhe anijen e re hapësinore Mengzhou, e cila pritet të përdoret në misionet e ardhshme hënore.

