Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se projekti për Parkun Memorial dhe Bibliotekën Presidenciale kushtuar Ibrahim Rugova po hyn në fazën përfundimtare të procedurave, ndërsa punimet pritet të nisin së shpejti.
Sipas Ramës, kompleksi do të ndërtohet në lagjen Velania të Prishtinës dhe synon të shërbejë si një hapësirë për kujtesën shtetërore, historinë dhe trashëgiminë politike të ish-presidentit Rugova.
Ai tha se buxheti për realizimin e projektit tashmë është ndarë nga Kryeqyteti, ndërsa projekti dhe procedurat administrative ndodhen në fazat e fundit.
“Ky nuk është veç projekt, është monument i kujtesës sonë shtetërore dhe i vizionit të Presidentit historik që e udhëhoqi Kosovën drejt lirisë, demokracisë dhe pavarësisë”, tha Rama.
Sipas tij, objekti do të mbetet një simbol i respektit për figurën dhe trashëgiminë e Ibrahim Rugovës, duke krijuar një hapësirë ku historia, dija dhe identiteti kombëtar do të ndërthuren në kryeqytet.
