Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka miratuar ndryshime të rëndësishme gjatë Kuvendit të 10-të Zgjedhor të mbajtur sot, duke zgjedhur Ardian Gjinin kryetar të ri të partisë dhe duke ndryshuar emrin e subjektit politik.
Sipas njoftimit zyrtar, nga 461 delegatë pjesëmarrës në procesin zgjedhor, 453 votuan pro kandidaturës së Gjinit, dy votuan kundër, një abstenoi, ndërsa pesë vota u shpallën të pavlefshme.
Po ashtu, delegatët kanë votuar për ndryshimin e emrit të partisë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Aleanca.
Në kuadër të vendimeve të Kuvendit, ish-kryetari shumëvjeçar i partisë, Ramush Haradinaj, është zgjedhur Kryetar Nderi.
“Po ashtu, u zgjodh edhe Këshilli i Përgjithshëm me përbërje prej 106 anëtarësh. Përbërjes së Këshillit të Përgjithshëm do t’i shtohet edhe Kryesia e re pas konstituimit, si dhe tre përfaqësues nga diaspora që kanë marrë më së shumti vota në Kuvend. Me sot, Aleanca e përmbyll me sukses procesin e brendshëm zgjedhor, i nisur më 12 shkurt”, thuhet në njoftimin e partisë.
Ndryshimet vijnë në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026, pas dështimit të Kuvendit për zgjedhjen e presidentit brenda afatit kushtetues.
Tashmë, Aleanca pritet të garojë e vetme në këto zgjedhje.

