Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka dënuar ashpër deklaratat e liderit të Hezbollah, duke e akuzuar këtë organizatë se po tenton ta destabilizojë sërish Libanin.
Në një deklaratë zyrtare, Rubio tha se lëvizja shiite e mbështetur nga Irani po përpiqet “ta zhysë sërish Libanin në kaos dhe shkatërrim”, me qëllim ruajtjen e ndikimit të saj politik përmes destabilizimit të vendit.
“Shtetet e Bashkuara dënojnë fuqishëm thirrjen e papërgjegjshme të Hezbollahut për rrëzimin e qeverisë së zgjedhur në mënyrë demokratike në Liban”, thuhet në deklaratën e tij.
Reagimi i Rubios vjen pasi lideri i Hezbollahut, Naim Qassem, deklaroi se qytetarët kanë të drejtë “të dalin në rrugë dhe ta rrëzojnë qeverinë”, duke akuzuar autoritetet libaneze për bashkëpunim me atë që ai e quajti një “plan izraelito-amerikan”.
Qassem kundërshtoi gjithashtu negociatat e drejtpërdrejta mes Liban dhe Izrael, të cilat pritet të vazhdojnë në Washington në fillim të muajit qershor.
Sipas Rubios, kërcënimet e Hezbollahut “nuk do të mbeten pa përgjigje”, ndërsa shtoi se “epoka kur një organizatë terroriste mbante peng një vend të tërë po shkon drejt fundit”.

