Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, ka informuar homologun e tij amerikan, Marco Rubio, për vendimin e Moskës për të intensifikuar goditjet ndaj objekteve në Kiev që, sipas autoriteteve ruse, janë të lidhura me forcat e armatosura ukrainase.
Sipas një njoftimi të Ministrisë së Jashtme ruse, gjatë një bisede telefonike të zhvilluar të dielën, Lavrov ka deklaruar se veprimet e Rusisë përbëjnë një “përgjigje ndaj sulmeve të vazhdueshme terroriste nga regjimi i Kievit” ndaj civilëve në territorin rus.
Në deklaratë thuhet se forcat ruse kanë nisur “sulme sistematike” ndaj objekteve që shërbejnë për nevojat e ushtrisë ukrainase, përfshirë edhe qendrat e vendimmarrjes.
Po ashtu, Lavrov i ka kërkuar SHBA-së që të evakuojë stafin diplomatik nga kryeqyteti ukrainas. Sipas Moskës, paralajmërimi është përcjellë edhe për qeveritë e tjera që kanë misione diplomatike në Kiev.
“Është kërkuar që të sigurohet largimi i personelit diplomatik dhe i qytetarëve nga kryeqyteti ukrainas”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme ruse.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur sulmet mes Rusisë dhe Ukrainës kanë shënuar përshkallëzim të ri të tensioneve, me intensifikim të goditjeve ajrore dhe përdorim të dronëve e raketave në disa rajone.

