Kryetari i NISMA Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se arsyeja kryesore që Kosova shkoi në zgjedhje të parakohshme është dështimi për zgjedhjen e presidentit të vendit, duke theksuar se një situatë e tillë ka ndodhur për herë të parë.
Sipas Limajt, në të kaluarën presidentët janë zgjedhur për shkak se, siç tha ai, kanë ekzistuar kapacitete negociuese mes subjekteve politike.
“Në të kaluarën presidentët janë zgjedhur sepse ka pasur kapacitete negociuese”, u shpreh ai.
Ai vlerësoi se situata aktuale tregon mungesë të pjekurisë politike në skenën politike të vendit.
“Kjo tregon se elita politike e Kosovës nuk ka kapacitete të mjaftueshme të pjekurisë politike për të ndërtuar marrëveshje”, deklaroi Limaj në një intervistë për T7.
Sipas tij, funksionimi i shtetit dhe drejtimi i vendit kërkojnë dialog dhe marrëveshje politike mes forcave politike.

