Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar besimtarët myslimanë dhe qytetarët shqiptarë kudo që ndodhen me rastin e festës së Kurban Bajramit.
Në mesazhin e tij, Kurti theksoi rëndësinë e vlerave si dashamirësia, zemërgjerësia, solidariteti dhe respekti, duke bërë thirrje që këto parime të udhëheqin jetën e përditshme dhe marrëdhëniet shoqërore.
“Le të udhëhiqemi çdo ditë nga dashamirësia dhe zemërgjerësia, solidariteti dhe respekti, duke synuar më të mirën për tjetrin dhe shoqërinë”, ka shkruar ai.
Kurti theksoi gjithashtu rëndësinë e ndarjes së të mirave me miqtë, fqinjët dhe njerëzit në nevojë, duke e cilësuar këtë si shprehje mirënjohjeje për bekimet dhe si ushtrim të sakrificës si një virtyt i lartë njerëzor.
Në përfundim të urimit, ai shprehu dëshirën për më shumë mirësi, begati dhe mbarësi për të gjithë qytetarët.

