Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit, duke përcjellë mesazhin e tij nga Meka, qyteti i shenjtë i besimit islam.
Në urimin e tij, Begaj theksoi se Kurban Bajrami është simbol i sakrificës, përkushtimit ndaj Zotit, solidaritetit dhe kujdesit për njerëzit në nevojë.
“Shoqëria bëhet më e fortë kur njerëzit ndajnë jo vetëm gëzimin, por edhe dhembjen dhe përgjegjësinë për tjetrin”, u shpreh ai.
Presidenti vuri në pah gjithashtu rëndësinë e ruajtjes së vlerave tradicionale që, sipas tij, kanë shoqëruar shqiptarët ndër shekuj, si besimi, familja, mikpritja dhe respekti i ndërsjellë.
Begaj theksoi se ndihet i nderuar që këtë festë po e pret në Meka, me ftesë të Salman bin Abdulaziz Al Saud, në vendin ku miliona besimtarë nga e gjithë bota mblidhen për lutje dhe përulësi.
Në fund të mesazhit të tij, ai uroi: “Gëzuar Kurban Bajramin! Zoti sjelltë paqe, mirësi dhe begati në çdo vatër shqiptare.”

