Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim një delegacion bipartizan të Kongresit amerikan, të përbërë nga Keith Self dhe Suhas Subramanyam.
Sipas njoftimit, në takim u diskutua për çështje që lidhen me sigurinë, mbrojtjen dhe zhvillimet rajonale, me theks të veçantë te paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor.
Kurti falënderoi delegacionin për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, veçanërisht për rezolutat në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së që mbështesin aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe vazhdimin e kontributit amerikan në kuadër të KFOR.
Gjatë takimit, ai theksoi gjithashtu rëndësinë e përputhshmërisë në politikën e jashtme dhe diskutoi për investimet në sektorin e mbrojtjes, zhvillimin teknologjik, rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, si dhe reformat në arsim.
Delegacioni amerikan kishte zhvilluar më herët vizitë edhe në Luginën e Preshevës. Lidhur me këtë, Kurti u shpreh se të drejtat e pakicave në rajon duhet të trajtohen mbi parime të krahasueshme në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.

