Erion Veliaj pritet të dalë sot para Gjykatës së Lartë, ku do të shqyrtohet rekursi i tij për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg” në një masë më të lehtë.
Kërkesa e kryebashkiakut të Tiranës vjen pas vendimit unifikues të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë mbi masën e arrestit në burg dhe kohëzgjatjen e saj. Vendimi përcakton se masa më e rëndë e kufizimit të lirisë duhet të merret vetëm pasi të shqyrtohen realisht alternativat e tjera më të lehta dhe të argumentohet qartë nevoja për arrest.
Po ashtu, Gjykata Kushtetuese ka rikthyer në Gjykatën e Lartë një tjetër kërkesë të Veliajt, duke kërkuar që të vlerësohet proporcionaliteti i masës së sigurisë në raport me funksionin e tij si kryebashkiak i Tiranës.
Sipas Kushtetueses, Gjykata e Lartë duhet të japë arsyetim të detajuar nëse “arresti me burg” është masa e domosdoshme dhe pse nuk mund të zbatohen masa alternative që do t’i lejonin ushtrimin e detyrës publike.
Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025. Ndaj tij, SPAK ka ngritur 13 akuza, mes tyre korrupsion pasiv, pastrim parash, shpërdorim detyre dhe mosdeklarim pasurie.

