Bashkimi Evropian po shqyrton vendosjen e një pakete të re taksash mbi lojërat e fatit online, kompanitë e kriptomonedhave dhe gjigantët globalë të teknologjisë, në përpjekje për të siguruar miliarda euro të ardhura për buxhetin e ardhshëm të bllokut europian.
Sipas dokumenteve të Komisionit Evropian, të siguruara nga POLITICO, një taksë mbi sektorin e lojërave online mund të gjenerojë deri në 13.3 miliardë euro gjatë ciklit buxhetor 2028–2034. Ndërkohë, taksat ndaj kompanive të kriptomonedhave dhe korporatave të mëdha digjitale si Google dhe Amazon pritet të sjellin edhe dhjetëra miliarda euro shtesë.
Komisioni Evropian po kërkon mënyra të reja financimi për fondin e përbashkët të BE-së, i cili vlerësohet të arrijë rreth 2 trilionë euro për periudhën 2028–2034, përfshirë edhe pagesat e borxhit të krijuar pas pandemisë Covid-19.
Sipas propozimeve në tavolinë, një taksë prej 3% mbi disa të ardhura të kompanive të mëdha digjitale mund të sigurojë rreth 5 miliardë euro në vit. Megjithatë, kjo ide pritet të përballet me kundërshtime të forta, sidomos për shkak të frikës nga tensionet tregtare me Shtetet e Bashkuara.
Në të njëjtën kohë, Brukseli po shqyrton edhe një taksë prej 3% mbi xhiron neto të sektorit të lojërave të fatit online, e cila mund të gjenerojë afro 1.9 miliard euro në vit. Një masë e tillë mund të godasë veçanërisht Maltën, ku industria e basteve online përbën një pjesë të rëndësishme të ekonomisë.
Edhe sektori i kriptomonedhave është futur në fokusin e institucioneve europiane. Komisioni vlerëson se një taksë prej 0.1% mbi transaksionet me kriptomonedha mund të sjellë deri në 4 miliardë euro në vit, ndërsa taksimi i fitimeve kapitale nga kriptoasetet mund të gjenerojë miliarda shtesë.
Megjithatë, vetë Komisioni pranon se llogaritjet mbeten të pasigurta për shkak të mungesës së të dhënave të sakta mbi tregun e kriptomonedhave.
Negociatat për buxhetin e ardhshëm europian pritet të jenë të vështira, pasi çdo taksë e re në nivel të BE-së kërkon miratimin unanim të të 27 vendeve anëtare. Disa shtete tashmë kanë shprehur rezerva, ndërsa France ka paralajmëruar se nuk do të mbështesë marrëveshjen buxhetore pa krijimin e burimeve të reja financiare për unionin.

