Komiteti për Marrëdhëniet me Jashtë i Senatit të SHBA-së ka miratuar me 19 vota pro dhe 3 kundër kandidaturën e Eric Wendt për ambasador të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, duke e afruar atë një hap më pranë konfirmimit përfundimtar në Senat.
Sipas njoftimit të komitetit, kandidatura e Wendt ka marrë mbështetje dypartiake dhe tashmë pritet të kalojë në seancën plenare të Senatit, ku do të zhvillohet votimi final për emërimin e tij në krye të Ambasadës amerikane në Tiranë.
Tradicionalisht, kandidatët që kalojnë me sukses fazën e komisionit kanë gjasa të larta për t’u konfirmuar edhe nga Senati i plotë.
Prioritetet e Wendtit: Lufta kundër korrupsionit dhe siguria
Gjatë dëgjesës publike të zhvilluar më 20 maj në Uashington, Wendt prezantoi vizionin e tij për forcimin e marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Shqipërisë.
Ai identifikoi si prioritete kryesore:
- luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar;
- forcimin e bashkëpunimit ushtarak mes dy vendeve;
- rritjen e sigurisë kibernetike;
- krijimin e një klime më të favorshme për investimet amerikane në Shqipëri.
Wendt shprehu gjithashtu mbështetje për SPAK-un, të cilin e cilësoi një institucion të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit, duke vlerësuar bashkëpunimin e tij me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit.
Sipas tij, efektiviteti i strukturës antikorrupsion lidhet drejtpërdrejt me ruajtjen e pavarësisë dhe mosndikimin nga politika.
Karrierë e gjatë në sigurinë kombëtare
Eric Wendt u nominua nga presidenti Donald Trump në prill të këtij viti. Ai ka mbi 34 vite përvojë në ushtrinë amerikane dhe në strukturat e sigurisë kombëtare.
Gjatë karrierës së tij ka drejtuar forcat speciale amerikane dhe operacionet speciale të NATO-s në Evropë, ndërsa ka bashkëpunuar edhe me institucionet shqiptare të sigurisë në kuadër të misioneve të Aleancës.
Shqipëria pa ambasador të konfirmuar që nga viti 2023
Nëse konfirmohet nga Senati, Wendt do të marrë drejtimin e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë në një periudhë të rëndësishme për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, me fokus te siguria, investimet strategjike dhe integrimi euroatlantik.
Shqipëria nuk ka pasur një ambasador të konfirmuar amerikan që prej largimit të ish-ambasadores Yuri Kim në vitin 2023.

