FIFA ka konfirmuar një fond rekord prej 871 milionë dollarësh për FIFA World Cup 2026, turneu që do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Shuma e re paraqet një rritje prej 15 për qind krahasuar me 727 milionë dollarët e miratuar fillimisht nga Këshilli i FIFA-s në fund të vitit 2025.
Sipas vendimit të fundit, çdo kombëtare e kualifikuar do të përfitojë 10 milionë dollarë si bonus kualifikimi dhe 2.5 milionë dollarë shtesë për përgatitjet para turneut. FIFA do të ndajë gjithashtu mbi 16 milionë dollarë për mbulimin e shpenzimeve të delegacioneve dhe zgjerimin e kuotave të biletave.
Sa i përket shpërblimeve sipas renditjes finale, kombëtaret që eliminohen në fazën e grupeve do të arkëtojnë 9 milionë dollarë shtesë, ndërsa skuadrat që ndalen në fazën e 1/16-ës do të marrin 11 milionë dollarë. Ekipet që arrijnë në 1/8-at e finales do të shpërblehen me 15 milionë dollarë, ndërsa çerekfinalistët me 19 milionë dollarë secili.
Për katër kombëtaret më të mira, shpërblimet rriten ndjeshëm. Vendi i katërt do të përfitojë 27 milionë dollarë, fituesi i medaljes së bronztë 29 milionë dollarë, ndërsa nënkampioni do të marrë 33 milionë dollarë. Kampioni i botës do të shpërblehet me 50 milionë dollarë, shifra më e lartë e akorduar ndonjëherë për fituesin e një Kupe Bote.
Vendimi vjen në prag të Botërorit të parë me 48 kombëtare pjesëmarrëse, që pritet të jetë edicioni më i madh dhe më fitimprurës në historinë e futbollit botëror.

