Analisti politik Baton Haxhiu ka dhënë parashikimin e tij për rezultatin e zgjedhjeve që do të mbahen nesër në Kosovë.
Gjatë paraqitjes së tij në emisionin “Pressing”, Haxhiu u shpreh se, sipas vlerësimit të tij, Lëvizja Vetëvendosje do të dalë forca e parë politike, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës do të renditet e dyta.
Sipas tij, Lidhja Demokratike e Kosovës do të përfundojë në vendin e tretë, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të jetë forca e katërt politike.
Haxhiu vlerësoi gjithashtu se rikthimi i presidentes Vjosa Osmani në mbështetje të LDK-së nuk do të ketë ndikimin që disa e presin në rezultatin zgjedhor.
“Ajo që ka sjellë Vjosa Osmani dhe e ka bartur në VV, unë po ju them që nuk e merr as gjysmën e saj, me kthy mbrapsht. E kthen një pjesë të konsiderueshme, por larg, shumë larg prej premtimeve të cilat unë po i dëgjoj. PDK del e dyta pa dilemë me një dallim jo të madh, por të mjaftueshëm të votave, kurse AAK del si parti e katërt”, është shprehur ai.
Ai foli edhe për nivelin e pakënaqësisë së qytetarëve, duke vlerësuar se ai është më i madh sesa reflektohet në lëvizjet elektorale.
“Qysh është e mundur që pakënaqësia është aq e madhe? Nuk e keni idenë sa ka pakënaqësi te njerëzit dhe votimi me pësu kaq pak ndryshim”, deklaroi Haxhiu.Burimi: Paparaci.

