Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka ushtruar të drejtën e tij të votës dhe u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të marrin pjesë në procesin zgjedhor.
Pas votimit, Hamza theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje, duke i inkurajuar qytetarët që të votojnë sipas bindjeve të tyre politike dhe në frymën demokratike.
“I ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës ta shfrytëzojnë këtë të drejtë. I ftoj ta ushtrojnë të drejtën për votë sipas bindjeve të tyre politike, të votojnë në mënyrë të qetë, të lirë dhe demokratike”, deklaroi ai.
Hamza e cilësoi ditën e zgjedhjeve si një moment të rëndësishëm për vendimmarrjen e qytetarëve lidhur me drejtimin e vendit në vitet e ardhshme.
“Ditë e bukur, ta shfrytëzojnë këtë ditë të bukur e të dalin të votojnë. Ne sot vendosim për të ardhmen për katër vitet e ardhshme”, tha kandidati i PDK-së.
Ai bëri thirrje që procesi zgjedhor të zhvillohet në atmosferë të qetë dhe demokratike, duke respektuar vullnetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

