Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ndaj protestave që po zhvillohen kundër projektit të planifikuar në zonën e Zvërnecit, duke i cilësuar një pjesë të protestuesve si “delirantë”, “të marrë” dhe persona që kërkojnë vëmendje në rrjetet sociale.
Protestat, të cilat kanë hyrë në ditën e shtatë, kanë mbledhur qindra qytetarë në rrugët dhe sheshet e Tiranës. Megjithatë, Rama ka minimizuar rëndësinë e tyre, duke pretenduar se pas kundërshtimeve fshihen motive të ndryshme politike, ekonomike dhe ideologjike.
Sipas tij, disa prej kundërshtarëve të projektit e lidhin atë padrejtësisht me Izraelin, ndërsa të tjerë janë kundër investimit për shkak të konkurrencës ekonomike.
“Disa e kanë me Izraelin, që u fut kot fare në këtë mes. Ndërkohë që investitorët kryesorë janë dy vëllezër myslimanë nga Katari. Disa të tjerë nuk duan që Shqipëria ta ketë këtë projekt. Janë konkurrentë. Me këto investime, Shqipëria bëhet një pikë referimi si asnjëherë më parë”, deklaroi Rama.
Kryeministri u shpreh me tone të ashpra edhe ndaj pjesëmarrësve në protesta, duke thënë se mes tyre ka persona që jetojnë nga rrjetet sociale dhe kërkojnë vetëm vëmendje publike.
“Ka nga ata që kërkojnë ‘like’ dhe jetojnë me ‘like’. Influencera që fitojnë paratë e dynjasë përmes rrjeteve sociale dhe nuk paguajnë taksa. Ka edhe delirantë me flamurin në qafë dhe me qeleshen si certifikatë patriotizmi”, tha ai.
Megjithatë, Rama pranoi se në protesta ka edhe qytetarë të cilët janë realisht të shqetësuar dhe që shprehin pakënaqësitë e tyre.
Duke folur për projektin në Zvërnec, kreu i qeverisë theksoi se ai do të realizohet pavarësisht kundërshtimeve.
“Projekti do të bëhet. Është një e mirë e madhe për ekonominë tonë, një bekim për Vlorën dhe një kapërcim epokal për Shqipërinë turistike dhe europiane”, u shpreh ai.
Rama paralajmëroi gjithashtu se protestat mund të kenë ndikim negativ në sezonin turistik, duke përmendur sinjale të para për anulime rezervimesh në jug të vendit.
“Sipas disa shenjave shqetësuese, kanë filluar çregjistrime në Sarandë. Nëse kjo kthehet në trend, mund të humbasim turistë dhe të dëmtohen bizneset e vogla dhe familjet që presin sezonin veror”, deklaroi kryeministri.
Projekti i planifikuar në Zvërnec ka nxitur debat të gjerë publik, ndërsa kundërshtarët e tij vazhdojnë të kërkojnë rishikimin ose anulimin e investimit, duke argumentuar se ai mund të ketë pasoja për mjedisin dhe interesin publik.

