Udhëheqësit e Britanisë së Madhe, Francës dhe Gjermanisë kanë shprehur mbështetjen e tyre për nisjen e bisedimeve të drejtpërdrejta mes Ukrainës dhe Rusisë, me pjesëmarrjen aktive të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve evropiane, me synim arritjen e një armëpushimi dhe avancimin e negociatave për paqe.
Qëndrimi u bë i ditur përmes një deklarate të përbashkët pas takimit që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky zhvilloi në Londër me kryeministrin britanik Keir Starmer, presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Friedrich Merz.
“Mbështesim propozimin për një dialog të drejtpërdrejtë midis Ukrainës dhe Rusisë, me pjesëmarrje aktive të SHBA-së dhe Evropës, për të sjellë një armëpushim dhe për të mbështetur negociatat e mëtejshme”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Liderët perëndimorë theksuan se vija aktuale e frontit duhet të shërbejë si pikënisje për negociatat, duke nënvizuar se kufijtë ndërkombëtarë nuk mund të ndryshohen me forcë.
Deklarata vjen pasi Zelensky i kishte propozuar presidentit rus Vladimir Putin një takim të drejtpërdrejtë për të diskutuar mundësitë e paqes. Megjithatë, Kremlini e ka refuzuar idenë, me Putinin që ka deklaruar se nuk sheh arsye për një takim të tillë pa pasur më parë një marrëveshje të mundshme paqeje.
Në takimin e Londrës, udhëheqësit e katër vendeve diskutuan gjithashtu forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Ukrainës. Ata theksuan nevojën për rritjen e prodhimit të raketave interceptuese, zhvillimin e sistemeve antibalistike dhe zgjerimin e aftësive për sulme në thellësi.
Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania dënuan ashpër sulmet e vazhdueshme ruse me raketa dhe dronë ndaj qyteteve ukrainase, duke përmendur edhe përdorimin e përsëritur të raketave balistike “Oreshnik”, të cilat kanë shkaktuar viktima dhe dëme të konsiderueshme në mesin e popullsisë civile.
Ndërkohë, Ukraina vazhdon t’u bëjë thirrje aleatëve perëndimorë për më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore dhe municione, ndërsa lufta e nisur nga Rusia në shkurt të vitit 2022 ka hyrë tashmë në vitin e saj të pestë.
Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania, të njohura si grupi E3, mbeten ndër mbështetësit kryesorë të Ukrainës, ndërsa Londra dhe Parisi vazhdojnë të udhëheqin iniciativën e ashtuquajtur “Koalicioni i të Vullnetshmëve”, që synon ofrimin e garancive të sigurisë për Ukrainën në kuadër të një marrëveshjeje të ardhshme paqeje.

