Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vazhduar publikimin e rezultateve preliminare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit, ndërsa procesi i numërimit ka arritur në fazën përfundimtare.
Sipas të dhënave të fundit të KQZ-së, deri më tani janë përpunuar 99.44 për qind e votave, përkatësisht janë numëruar 2.484 nga gjithsej 2.498 vendvotime në nivel vendi.
Rezultatet preliminare tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të kryesojë bindshëm me 42.91 për qind të votave, ose 297.363 vota të fituara.
Në vendin e dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës me 21.08 për qind, respektivisht 146.108 vota.
Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës ka siguruar 17.60 për qind të votave apo 121.987 vota, duke u pozicionuar si forca e tretë politike në vend.
Sipas rezultateve të deritanishme, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë 7.17 për qind të votave, ose 49.712 vota.
KQZ-ja pritet të publikojë rezultatet e plota preliminare pasi të përfundojë numërimi i kutive të mbetura të votimit, ndërsa më pas do të vijojnë procedurat për numërimin e votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe atyre nga diaspora.

