Rezultatet preliminare të zgjedhjeve të 7 qershorit 2026 tregojnë se shumica e partive kryesore politike kanë pësuar rënie në numrin e votave krahasuar me zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit 2025, kryesisht si pasojë e pjesëmarrjes më të ulët të votuesve në këtë proces zgjedhor.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, partia më e madhe në vend, Lëvizja Vetëvendosje, ka regjistruar rënien më të madhe numerike. Nga 433.394 vota sa kishte fituar në zgjedhjet e dhjetorit 2025, ajo aktualisht ka 297.286 vota, ose 136.108 vota më pak.
Edhe Partia Demokratike e Kosovës ka shënuar rënie të konsiderueshme. PDK-ja ka marrë 145.873 vota në zgjedhjet e fundit, krahasuar me 184.318 vota në fund të vitit 2025, që paraqet një ulje prej 38.445 votash.
Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës është partia e vetme shqiptare e madhe që ka shënuar rritje. LDK-ja ka fituar 121.956 vota, ose 2.755 më shumë se në zgjedhjet paraprake, kur kishte marrë 119.201 vota.
Rezultati i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mbetet pothuajse i pandryshuar. AAK-ja ka siguruar 49.693 vota, vetëm pesë vota më pak se në zgjedhjet e dhjetorit 2025.
Ndërkohë, Lista Serbe ka shënuar një rritje të lehtë, duke marrë 42.761 vota, ose 526 vota më shumë krahasuar me zgjedhjet e kaluara.
Të dhënat bazohen në rezultatet preliminare të KQZ-së, me 99.4 për qind të vendvotimeve të procesuara. Analistët vlerësojnë se rënia e numrit të votave për shumicën e subjekteve politike lidhet drejtpërdrejt me pjesëmarrjen dukshëm më të ulët në zgjedhjet e 7 qershorit krahasuar me ato të dhjetorit 2025.

