Një tjetër vlerësim i rëndësishëm ndërkombëtar ka ardhur për trashëgiminë natyrore shqiptare. Liqeni i Shkodrës është shpallur nga UNESCO si Rezervë Biosfere ndërkufitare, duke u përfshirë zyrtarisht në Rrjetin Botëror të Rezervave të Biosferës.
Ky status i ri njeh rëndësinë e jashtëzakonshme ekologjike dhe natyrore të liqenit më të madh në Ballkan, duke synuar forcimin e mbrojtjes së ekosistemit, ruajtjen e biodiversitetit dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm në të dy anët e kufirit.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e cilësoi vendimin si një lajm të rëndësishëm për vendin dhe trashëgiminë e tij natyrore.
“Me kënaqësinë e një tjetër lajmi të bukur për Shqipërinë e Gjelbër dhe trashëgiminë tonë natyrore, futjen e Liqenit të Shkodrës nga UNESCO në Rrjetin Botëror të Rezervave të Biosferës, rezultat i punës sonë diplomatike po edhe i kujdesit me përgjegjësi për këtë pasuri shqiptare që i shtohet thesareve të botës së mbrojtur nga UNESCO, ju uroj një javë të mbarë”, ka shkruar Rama.
Edhe autoritetet lokale në Shkodër e kanë cilësuar vendimin si një moment krenarie për qytetin dhe rajonin, duke theksuar se njohja ndërkombëtare do të ndikojë pozitivisht në mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm dhe promovimin e vlerave natyrore të zonës.
Statusi i Rezervës së Biosferës konsiderohet një nga instrumentet më të rëndësishme të UNESCO-s për ruajtjen e ekosistemeve me vlerë të veçantë natyrore dhe kulturore, duke balancuar mbrojtjen e natyrës me zhvillimin ekonomik dhe social të komuniteteve lokale.

