Deputeti i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se partia e tij është e gatshme të diskutojë me Albin Kurti për mundësitë e bashkëpunimit politik, me qëllim të formimit të institucioneve të reja në Kosovë.
Duke folur në emisionin Rubikon në Klan Kosova, Haziri tha se politika funksionon mbi dy parime themelore: ose bëhesh pjesë e procesit, ose e nxit vetë atë.
“Ne e dimë që në politikë është rregull, ose duhesh me marrë pjesë në proces, ose me shkaktu proces. Dhe nuk ka mes”, u shpreh Haziri.
Ai theksoi se LDK-ja ka treguar gatishmëri për bashkëpunim, por paralajmëroi se gjithçka varet nga qasja e liderit të Lëvizja Vetëvendosje.
“Nëse z. Kurti nuk e zbardh agjendën, nuk i zbardh hapat dhe nuk tregon gatishmëri për bashkëpunim, atëherë ne jemi afër për bashkëpunim edhe më tutje, por kjo nuk na përjashton nga mundësia e shkaktimit të proceseve politike, sepse ne e kemi pranu rezultatin”, deklaroi ai.
Haziri u shpreh skeptik ndaj qasjes së Kurtit, duke thënë se do të ishte e padrejtë që vendi të shkonte drejt zgjedhjeve të reja brenda këtij viti.
“Unë besoj që është e padrejtë, në krejt këtë gatishmëri, që z. Kurti nga sot me fillu me demonstru vullnetin për zgjedhjet e katërta mrena këtij viti”, tha ai.
Nënkryetari i LDK-së theksoi se rezultati i zgjedhjeve ka krijuar një detyrim politik për bashkëpunim ndërmjet partive, pasi asnjë subjekt nuk ka fituar mandat të mjaftueshëm për të qeverisur i vetëm ose për të bllokuar institucionet.
Sipas tij, fryma kushtetuese e Kosovës kërkon ndërtim institucionesh përmes dialogut dhe marrëveshjeve politike.
“Vota qytetare konfirmon detyrim në bashkëpunim. Fryma jonë kushtetuese kërkon bashkëpunim; ne kemi vendosur bashkëpunimin si çelës të ndërtimit të institucioneve”, theksoi Haziri.
Ai shtoi se zgjidhja më e mirë do të ishte një marrëveshje gjithëpërfshirëse politike, apo siç e quajti ai, një “marrëveshje në pako”, që do t’i hapte rrugë formimit të institucioneve pa vonesa të mëtejshme.
Në fund, Haziri tha se po të kishte dalë LDK-ja partia e parë në zgjedhje, ftesat për bashkëpunim do të ishin bërë menjëherë.
“Me pas dalë LDK-ja parti e parë, ne me të 8-tin në mëngjes do t’i kishim ftuar palët për me ndërtu bashkëpunim institucional. Nuk ke çka pret”, përfundoi ai.

