Ish-zyrtari i lartë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka reaguar ashpër pas rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit, duke vlerësuar se rezultati i LDK-së nuk mund të paraqitet si sukses përmes “interpretimeve kreative”.
Sipas Veliut, qytetarët e kanë dhënë qartë verdiktin e tyre, ndërsa LDK-ja ka mbetur e “betonuar” në vendin e tretë, shumë larg pritjeve që, sipas tij, vetë lidershipi i partisë kishte krijuar gjatë dhe para fushatës zgjedhore.
Ai ka adresuar përgjegjësinë politike drejtpërdrejt te kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe Vjosa Osmani, duke i quajtur ata arkitektët kryesorë të projektit politik aktual të partisë.
“Për dështimin e radhës, përgjegjësia politike bie para së gjithash mbi Lumir Abdixhikun dhe Vjosa Osmanin, të cilët ishin arkitektët kryesorë të këtij projekti politik,” ka deklaruar Veliu.
Sipas tij, gjatë kësaj periudhe janë shpërfillur vazhdimisht paralajmërimet e veprimtarëve dhe aktivistëve të LDK-së për centralizimin e partisë, margjinalizimin e mendimit ndryshe dhe largimin nga baza elektorale.
Veliu ka theksuar se rezultati zgjedhor dëshmoi se këto shqetësime nuk kanë qenë të pabaza dhe se lidershipi aktual duhet ta pranojë dështimin e projektit të transformimit të partisë.
Ai ka kërkuar nisjen e një procesi të rregullt dhe transparent zgjedhor brenda partisë, duke hapur rrugë për figura të reja politike që, sipas tij, gëzojnë mbështetje më të gjerë dhe vendosin interesin e partisë mbi interesat personale apo grupore.
“Një parti serioze nuk ringrihet duke festuar humbjet si fitore morale. Ajo ringrihet duke analizuar gabimet, duke rikthyer demokracinë e brendshme dhe duke vendosur standarde të qarta të llogaridhënies,” është shprehur ai.
Në fund, Veliu ka theksuar se nëse LDK-ja dëshiron të rikthejë besimin e humbur, ndryshimi duhet të nisë nga maja e partisë.
“LDK duhet t’i kthehet LDK-së dhe LDK-istëve të saj,” përfundoi ai.

