Lufta mes Ukrainës dhe Rusisë ka hyrë sërish në një fazë të tensionuar, pasi gjatë natës së kaluar Kievi kreu sulme të fuqishme me raketa me rreze të gjatë veprimi ndaj objektivave strategjike në territorin rus.
Sipas raportimeve, për herë të dytë brenda një jave është goditur rafineria e naftës pranë Moskës, ku nga shpërthimi i fuqishëm çatia e objektit është shkatërruar dhe është hedhur në ajër. Sulme janë raportuar edhe në rajonin e Rostovit, si dhe në territoret ukrainase të pushtuara përkohësisht nga forcat ruse.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, përmes një postimi në Telegram deklaroi se sulmet përbëjnë një përgjigje të justifikuar ndaj agresionit rus.
“Bëhet fjalë për një përgjigje plotësisht të justifikuar ndaj sulmeve ruse kundër qyteteve dhe komuniteteve tona. Kjo është gjithashtu një goditje e rëndësishme ndaj objektivave që furnizojnë makinën ruse të luftës,” ka deklaruar Zelensky.
Ai falënderoi forcat e mbrojtjes dhe brigadën raketore ukrainase për saktësinë e sulmeve, duke shtuar se partnerët ndërkombëtarë kanë vlerësuar efektivitetin e operacioneve me rreze të mesme veprimi.
Duke folur për gazetarët në Bruksel, ku po merr pjesë në takimin e ministrave të Mbrojtjes të NATO-s, Zelensky dërgoi edhe një mesazh të ashpër për Kremlinin.
“Nëse digjet Ukraina, do të digjet edhe Rusia,” tha ai, duke paralajmëruar se Ukraina do të vazhdojë të reagojë nëse agresioni rus nuk ndalet.
Ndërkohë, Këshilli Europian ka shënuar një ndryshim të rëndësishëm në qasjen ndaj luftës në Ukrainë, duke deklaruar se Evropa tashmë “ka një rol kyç për të luajtur në një zgjidhje të ardhshme” dhe është “e gatshme të mbrojë interesat e saj”.
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë dënuar gjithashtu sulmin rus ndaj manastirit historik Lavra e Peçerskut në Kiev, monument i mbrojtur nga UNESCO.
Në deklaratën zyrtare, BE-ja dënoi sjelljen “gjithnjë e më agresive, të pakujdesshme dhe të papërgjegjshme” të Rusisë ndaj shteteve anëtare, duke përfshirë manipulimin e informacionit dhe kërcënimet ndaj pranisë diplomatike evropiane në Ukrainë.
Këshilli Europian shprehu shqetësim edhe për incidentet e fundit ku dronë rusë kanë prekur territorin e vendeve anëtare, përfshirë Rumaninë, duke i cilësuar këto si kërcënim serioz për sigurinë rajonale.
Në përfundim, liderët evropianë i bënë thirrje Rusisë të tregojë vullnet real për paqe, të pranojë një armëpushim të menjëhershëm dhe pa kushte, si dhe të angazhohet në negociata serioze për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.

