Procesi i rinumërimit të një pjese të votave nga zgjedhjet e 7 qershorit pritet të përfundojë gjatë paradites së sotme, sipas njoftimit të Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Sipas të dhënave zyrtare, deri në mbyllje të ditës së enjte janë rinumëruar 176 nga gjithsej 185 vendvotime të përfshira në këtë procedurë, ndërsa kanë mbetur edhe 9 vendvotime për t’u verifikuar. Me përfundimin e tyre, pritet të mbyllet i gjithë procesi i rinumërimit.
Rinumërimi po zhvillohet në bazë të një vendimi të KQZ-së, i cili parasheh kontroll shtesë për disa vendvotime në komuna të ndryshme, me qëllim garantimin e saktësisë së rezultateve zgjedhore.
Ky veprim mbështetet në rregulloret që rregullojnë funksionimin e Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve, të cilat i japin KQZ-së të drejtën të urdhërojë rinumërim në rastet kur vlerësohet se ekziston nevoja për verifikim shtesë të materialit zgjedhor.
Sipas institucionit përgjegjës për administrimin e zgjedhjeve, kjo masë shërben si një mekanizëm kontrolli për adresimin e parregullsive të evidentuara gjatë numërimit të votave për kandidatët për deputetë.
KQZ ka bërë të ditur se synimi kryesor mbetet sigurimi i një procesi zgjedhor të saktë, transparent dhe të besueshëm, para shpalljes së rezultateve përfundimtare.

