Nënkryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lutfi Haziri, ka reaguar përmes një sqarimi publik lidhur me interesimin e opinionit për zhvillimet e fundit politike dhe qëndrimet e partisë së tij.
Haziri ka theksuar se qëndrimi i LDK-së nuk ka ndryshuar dhe se nominimi i Vjosa Osmani për presidente mbetet i vetmi emër që ka dalë nga radhët e kësaj partie.
“Asgjë s’ka ndryshu. Nominimi për presidente i Vjosa Osmanit mbetet i vetmi emër nga radhët e LDK-së”, ka shkruar ai.
Sipas Hazirit, në kuadër të debatit paszgjedhor, ai ka paraqitur parimet gjithëpërfshirëse dhe modalitetet për një bashkëpunim të mundshëm politik, me synim krijimin e stabilitetit politik dhe institucional në vend.
Ai ka nënvizuar se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, mbetet adresa e vetme për zhvillimin e proceseve politike në periudhën e ardhshme.
“Kërkesat politike, çfarëdo natyre qofshin, do të trajtohen brenda strukturave legale të LDK-së”, ka theksuar Haziri.
Në fund të reagimit të tij, ai ka theksuar rëndësinë e demokracisë, lirisë dhe pavarësisë së vendit, duke shtuar se koncepti “një parti, një shtet” është i papranueshëm.
“Demokracia është barazvlefshme me lirinë dhe pavarësinë e Republikës. Kauza ‘një parti, një shtet’ është kauzë e humbur. Askush mbi Republikën!”, ka përfunduar Haziri.

