Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) u ka bërë thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë që merren me ushqime të zbatojnë me përpikëri kërkesat ligjore dhe standardet e sigurisë ushqimore, veçanërisht gjatë periudhës së temperaturave të larta.
Apeli u drejtohet të gjitha hallkave të zinxhirit ushqimor, duke përfshirë prodhimin, përpunimin, ruajtjen, transportin, deponimin, shpërndarjen dhe tregtimin e produkteve ushqimore. Gjithashtu, AUV kërkon respektimin e rregullave edhe nga bizneset e gastronomisë, si restorantet, hotelet, sallat e dasmave, marketet, furrat, qebaptoret, fast-food-et dhe subjektet e tjera që janë në kontakt me ushqimin.
Sipas Agjencisë, produktet ushqimore duhet të ruhen në temperaturat e përcaktuara në etiketë, ndërsa pajisjet ftohëse dhe ngrirëse duhet të kontrollohen rregullisht për të siguruar funksionimin e tyre. Po ashtu, bizneset duhet të zbatojnë në mënyrë rigoroze masat e vetëkontrollit.
AUV u ka bërë thirrje edhe qytetarëve që të tregojnë kujdes gjatë blerjes, transportit dhe ruajtjes së produkteve ushqimore deri në momentin e konsumimit. Agjencia thekson se çdo produkt që kërkon kushte specifike të ruajtjes i ka të deklaruara temperaturat përkatëse në etiketim.
Sipas njoftimit, produktet me prejardhje shtazore janë më të ndjeshme ndaj temperaturave të larta, por kujdes i veçantë duhet të tregohet edhe për produktet e tjera që kërkojnë ruajtje në temperatura të caktuara. AUV rikujton se jetëgjatësia e produkteve lidhet drejtpërdrejt me kushtet në të cilat ato ruhen.
Agjencia thekson se siguria ushqimore është përgjegjësi e përbashkët dhe se vetëm përmes respektimit të rregullave mund të parandalohen helmimet ushqimore dhe të mbrohet shëndeti i konsumatorëve.
AUV njofton se gjatë sezonit veror do të intensifikojë kontrollet për të mbikëqyrur zbatimin e kërkesave ligjore dhe ka paralajmëruar se asnjë shkelje nuk do të tolerohet.
“Shëndeti publik është i varur nga siguria ushqimore. Ruajeni ushqimin në mënyrë të sigurt”, thuhet në apelin e AUV-it.

