Universiteti i Prishtinës ka njoftuar hapjen e konkursit për pranimin e studentëve në vitin e parë të studimeve në nivelin baçelor dhe master për vitin akademik 2026/2027.
Përmes një njoftimi zyrtar, UP u ka bërë thirrje maturantëve dhe studentëve të interesuar që të aplikojnë në programet e studimit që ofrohen nga universiteti.
Sipas njoftimit, programet e studimit të ofruara nga Universiteti i Prishtinës mbulojnë fusha të ndryshme akademike dhe janë të ndërtuara për t’i përgatitur studentët për sfidat e tregut të punës, duke i pajisur me njohuri dhe aftësi të nevojshme për zhvillim profesional dhe personal.
Universiteti ka theksuar se synon të krijojë një ambient të favorshëm akademik, ku studentët mund të zhvillohen në aspektin intelektual dhe të arrijnë objektivat e tyre në karrierë.
“Ftoheni të aplikoni dhe të bëheni pjesë e një universiteti me histori, traditë dhe përkushtim ndaj cilësisë në arsim”, thuhet në njoftimin e UP-së.
Për detaje shtesë rreth konkursit dhe procedurës së aplikimit, kandidatët mund të informohen në faqen zyrtare të Universitetit të Prishtinës.
