KEDS ka njoftuar se gjatë ditës së martë, më 30 qershor, do të realizohen punime për siguri dhe mirëmbajtje të sistemit energjetik në disa rajone të Kosovës, çka do të shkaktojë ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike.
Sipas njoftimit, ndërprerje të rrymës do të ketë në rajonet e Prishtinë, Pejë, Prizren, Mitrovicë, Gjakovë dhe Gjilan.
Në Prishtinë, ndërprerjet do të zgjasin kryesisht nga ora 09:00 deri në 18:00, duke prekur zona si Iliria, Hotel Diamond, Bulevardi Nënë Tereza, Agim Ramadani, Qendra, Bankosi dhe Kuvendi. Arsyeja lidhet me projekte investive dhe energjizim të kabllove të reja.
Në rajonin e Pejës, veçanërisht në Klinë dhe Deçan, ndërprerjet do të zhvillohen nga 08:30 deri në 17:00, varësisht lokalitetit. Punimet përfshijnë mirëmbajtje të nënstacioneve, ndërrim pajisjesh dhe ngritje të shtyllave të reja elektrike.
Në Prizren, ndërprerje do të ketë në zonën e Therandës, Zhurit dhe Dragashit, ku pa energji do të mbesin dhjetëra fshatra nga ora 10:00 deri në 16:00, për shkak të eliminimit të defekteve dhe punimeve teknike në rrjet.
Ndërkohë, në rajonin e Mitrovicës, konkretisht në Vushtrri, disa fshatra do të mbesin pa rrymë nga ora 10:00 deri në 15:30 për shkak të mirëmbajtjes preventive dhe pastrimit të trasesë.
Në Gjakovë dhe Rahovec, janë paralajmëruar ndërprerjet më të gjata, ku në disa zona energjia do të mungojë nga 05:00 deri në 12:00, ndërsa në disa lokalitete rurale edhe deri në 17:00. Arsyeja lidhet me testimin e sistemit SCADA, implementimin e mbrojtjeve të reja dhe instalimin e kabllove optike.
Edhe në Gjilan, disa fshatra përfshirë Bresalcin, Koretishtën dhe Zhegovcin do të përballen me ndërprerje nga 10:00 deri në 15:30 për shkak të pastrimit të trasesë.
KEDS u bën thirrje qytetarëve dhe bizneseve në zonat e prekura që të planifikojnë aktivitetet e tyre paraprakisht dhe të kenë kujdes gjatë intervaleve të ndërprerjeve.

