Presidenti i Donald Trump ka pësuar një humbje të rëndësishme ligjore, pasi Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara ka rrëzuar dekretin e tij që synonte heqjen e shtetësisë automatike për fëmijët e lindur në territorin amerikan nga prindër pa dokumente ose me viza të përkohshme.
Me shumicë votash 6 me 3, gjyqtarët e shpallën antikushtetues urdhrin ekzekutiv të Trumpit, duke riafirmuar parimin e njohur si ius soli – e drejta për shtetësi bazuar në vendin e lindjes.
Kryetari i Gjykatës Supreme, John Roberts, theksoi se Amendamenti i 14-të i Kushtetutës amerikane garanton qartë shtetësinë për çdo person të lindur në SHBA, me përjashtime shumë të kufizuara, si rastet e fëmijëve të diplomatëve të huaj.
“Shtetësia ishte dhe mbetet e drejta për të pasur të drejta. Sot ne e mbajmë atë premtim,” thuhet në arsyetimin e vendimit.
Trump reagoi menjëherë pas vendimit, duke kërkuar ndërhyrjen e Kongresit. Në një postim në platformën Truth Social, ai e cilësoi vendimin si të dëmshëm për vendin dhe deklaroi se çështja mund të zgjidhet përmes një ligji të ri.
Presidenti kishte argumentuar se ius soli nxiste të ashtuquajturin “turizëm lindjeje” dhe u jepte avantazh emigrantëve të paligjshëm. Megjithatë, Gjykata hodhi poshtë këtë interpretim, duke u mbështetur edhe në precedentin historik SHBA v. Wong Kim Ark.
Në të njëjtën ditë, Gjykata Supreme mori edhe vendime të tjera me ndikim të madh: lejoi shtetet të kufizojnë pjesëmarrjen e sportistëve transgjinorë në sportet femërore dhe hoqi kufizime mbi financimin e koordinuar të fushatave elektorale.
Vendimi për ius soli konsiderohet një nga goditjet më të forta ndaj agjendës së mandatit të dytë të Trumpit dhe një sinjal se edhe shumica konservatore e Gjykatës nuk është e gatshme të ndryshojë parime kushtetuese të rrënjosura prej më shumë se një shekulli.

