Një zjarr i përmasave të konsiderueshme ka përfshirë malin e Shëngjinit që prej mbrëmjes së kaluar, duke djegur sipërfaqe me shkurre dhe bimësi pranë rrugës kryesore në lagjen Sake.
Sipas informacioneve nga terreni, gjatë orëve të fundit flakët janë përhapur në anën jugore të malit, përgjatë zonës mbi rrugën kryesore, duke vështirësuar ndërhyrjen e ekipeve zjarrfikëse.
Në operacionin për shuarjen e zjarrit janë angazhuar forcat zjarrfikëse, të mbështetura nga strukturat e Emergjencave Civile, të cilat po punojnë pa ndërprerje për izolimin dhe vënien nën kontroll të vatrës.
Autoritetet bëjnë të ditur se, për momentin, zjarri nuk paraqet rrezik për zonat e banuara, ndërsa situata po monitorohet vazhdimisht për të parandaluar përhapjen ose riaktivizimin e flakëve.
Shkaqet e zjarrit ende nuk janë bërë të ditura, ndërsa pritet që pas shuarjes së plotë të vatrës të nisë hetimi për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

