Presidenti Donald Trump mbajti një fjalim të fortë në Mount Rushmore, në kuadër të festimeve për 250-vjetorin e Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, duke e cilësuar SHBA-në si “vendin më të fuqishëm dhe më të admiruar në botë”, ndërsa komunizmin e quajti kërcënimin më të madh për lirinë amerikane.
Në fjalën e tij, Trump vlerësoi historinë dhe institucionet amerikane, duke theksuar se Deklarata e Pavarësisë shënoi fillimin e një revolucioni që, sipas tij, vazhdon edhe sot.
“Ne kemi Kushtetutën më të drejtë dhe më jetëgjatë në botë. Jemi vendi më i fortë dhe më i fuqishëm në botë. Me hirin e Zotit, Shtetet e Bashkuara janë kombi më i suksesshëm dhe më i admiruar në historinë e njerëzimit,” deklaroi Trump.
Presidenti amerikan paralajmëroi se identiteti i SHBA-së po përballet me sfida të reja nga, sipas tij, “radikalë dhe ekstremistë të brendshëm”, duke i lidhur këto zhvillime me rrezikun e përhapjes së ideologjive komuniste.
Ai u shpreh se komunizmi ka dështuar kudo ku është zbatuar dhe u zotua se Amerika nuk do të ndjekë kurrë atë rrugë.
“Komunizmi është një dështim. Ka qenë gjithmonë dhe mbetet një dështim total. Në prag të këtij 250-vjetori të lirisë amerikane, ne deklarojmë se Amerika nuk do të jetë kurrë një vend komunist,” tha ai.
Trump argumentoi se komunizmi përbën një kërcënim serioz për Kushtetutën, lirinë dhe demokracinë amerikane, duke pretenduar se ky sistem ka shkaktuar më shumë viktima se çdo ideologji tjetër gjatë shekullit të kaluar.
Në përmbyllje të fjalimit, presidenti amerikan bëri një ndarje të qartë mes patriotizmit amerikan dhe ideologjisë komuniste.
“Mund të jesh besnik ndaj Karl Marksit ose ndaj Amerikës. Mund të jesh komunist ose patriot. Nuk mund të jesh të dyja njëkohësisht,” përfundoi Trump.

