Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person nën dyshimin se përmes rrjeteve sociale kishte kanosur ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xh. S.
Sipas të dhënave të rastit, bëhet fjalë për R.H., rreth 43-vjeçar, i cili është arrestuar më 7 korrik 2026 në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, menjëherë pas hyrjes në Kosovë, në bazë të një urdhër-kërkimi aktiv.
Rasti lidhet me një ngjarje të regjistruar më 9 nëntor 2025 në Prishtinë, ku i dyshuari dyshohet se përmes rrjetit social Facebook kishte kanosur ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, “Prishtinë, 09.11.2025 – 16:56. Në lidhje me rastin, më 07.07.2026 është arrestuar i dyshuari, pasi i njëjti përmes rrjeteve sociale kishte kanosur Ministrin e Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës”.
Pas arrestimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Rasti po trajtohet nga organet kompetente, ndërsa hetimet do të vazhdojnë për të sqaruar të gjitha rrethanat e ngjarjes.

