Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka konfirmuar se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për takim lidhur me procesin e formimit të institucioneve të reja të Kosovës.
Pas mbledhjes së Kryesisë së partisë, PDK bëri të ditur se kryetari Bedri Hamza do të marrë pjesë në takimin e paralajmëruar, me pritjen që Kurti të paraqesë një plan konkret për tejkalimin e krizës institucionale dhe sigurimin e shumicës së nevojshme për krijimin e institucioneve.
Në deklaratën e saj, PDK thekson se e trajton me seriozitet çdo kërkesë zyrtare dhe vlerëson se çdo iniciativë që synon funksionalizimin e institucioneve meriton të dëgjohet dhe të shqyrtohet me përgjegjësi.
Megjithatë, partia rithekson se përgjegjësia kushtetuese dhe politike për formimin e institucioneve i takon subjektit që ka dalë i pari në zgjedhje.
“Presim që z. Kurti të paraqesë planin e tij për krijimin e institucioneve dhe sigurimin e shumicës së nevojshme. Çdo zhvillim i mëtejmë do të varet nga serioziteti i këtij procesi, respektimi i rendit kushtetues dhe gatishmëria për të ofruar zgjidhje konkrete në interes të Republikës së Kosovës, e jo nga kalkulimet politike apo përpjekjet për ta shpërndarë përgjegjësinë te opozita”, thuhet në deklaratë.
PDK shton se mbetet e palëkundur në qëndrimet e saj politike dhe se do të vazhdojë të veprojë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, duke mbrojtur interesin qytetar dhe shtetëror.
Ky zhvillim vjen pasi edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, konfirmoi se ka pranuar ftesën e Albin Kurtit dhe se do të marrë pjesë në takimin e paralajmëruar, duke e cilësuar atë si komunikimin e parë zyrtar ndërmjet palëve pas zgjedhjeve.

