Sipas njoftimit të Kryeqytetit, punimet po realizohen nga Drejtoria e Investimeve Kapitale dhe përfshijnë segmentin e rrugës nga Rrethi i Flamurit deri te Rrethi i Spitalit.
Gjatë periudhës së punimeve, qarkullimi i automjeteve në këtë pjesë të rrugës do të ndërpritet, ndërsa trafiku do të menaxhohet dhe ridrejtohet përmes sinjalizimit të përkohshëm të vendosur në terren.
Autoritetet komunale kanë bërë të ditur se qarkullimi i këmbësorëve do të mbetet i mundësuar gjatë gjithë kohës së zhvillimit të punimeve.
Komuna u ka bërë thirrje qytetarëve dhe të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të tregojnë mirëkuptim dhe të planifikojnë lëvizjet e tyre duke shfrytëzuar rrugë alternative, me qëllim të shmangies së vonesave dhe lehtësimit të qarkullimit gjatë kësaj periudhe.
Punimet pritet të përfundojnë më 18 korrik 2026, kur edhe segmenti do të rikthehet në funksion të plotë për qarkullimin e automjeteve.

