Ministrja Fitore Pacolli, u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal gjatë ditëve me temperatura të larta, duke theksuar se parandalimi i zjarreve në pyje dhe hamullore është përgjegjësi e përbashkët për mbrojtjen e mjedisit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Pacolli ka theksuar se temperaturat e larta dhe tharja e bimësisë rrisin ndjeshëm rrezikun e shpërthimit të zjarreve, të cilat shkaktojnë dëme të mëdha në pyje, biodiversitet, tokë dhe cilësinë e ajrit.
Ajo ka paralajmëruar se djegia e hamulloreve dhe mbetjeve bujqësore dëmton pjellorinë e tokës dhe cenon ekuilibrin natyror, duke bërë thirrje për më shumë përgjegjësi nga qytetarët.
Në apelin e saj, Pacolli u ka kërkuar qytetarëve që:
- të mos djegin hamulloret dhe mbetjet bujqësore;
- të mos ndezin zjarre në natyrë;
- të mos hedhin cigare në pyje apo ambiente të hapura;
- të raportojnë menjëherë çdo vatër zjarri tek autoritetet kompetente.
“Le t’i mbrojmë pyjet, tokën dhe natyrën tonë. Çdo veprim i vogël ndihmon mjedisin”, ka theksuar Pacolli.
Apeli vjen në një periudhë kur temperaturat e larta kanë rritur rrezikun e zjarreve në shumë zona të Kosovës, ndërsa institucionet vazhdimisht u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë përhapjen e flakëve.

