Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, ka adresuar kritika të ashpra ndaj Qeverisë Kurti, duke e akuzuar për mosrealizimin e projekteve të rëndësishme infrastrukturore dhe energjetike në vend.
Në një paraqitje në emisionin Pressing, Gjini tha se refuzimi i projektit për gazin amerikan, mosndërtimi i autostradave dhe mungesa e investimeve për Prishtinën janë arsye të mjaftueshme që, sipas tij, qeveria të largohet nga pushteti.
“As me bo autostradën e Gjilanit, as termocentral me gas, as me nda buxhet për Prishtinën, as autostradat e Podujevës, Mitrovicës, Gjakovës, as Pejës, çka me i thanë. Ne po ta bëjmë kuorumin a? Shko more në shtëpi, ik atje…”, u shpreh Gjini.
Ai theksoi se këto nuk janë çështje politike të zakonshme, por tema me rëndësi për zhvillimin e vendit.
“Nuk janë këto lojëra, jemi duke folë për çështje serioze”, deklaroi kreu i AAK-së.
Deklaratat e Gjinit vijnë në kohën kur vazhdon debati politik për investimet strategjike, projektet infrastrukturore dhe politikat energjetike në Kosovë.

