Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Mërgim Vojvoda, është shumë pranë transferimit te Udinese. Sipas raportimeve të mediave sportive italiane, Como dhe Udinese kanë arritur marrëveshje për kartonin e 31-vjeçarit, ndërsa mbetet vetëm zyrtarizimi i operacionit.
Como ka pranuar ofertën prej 1.3 milionë eurosh, ndërsa marrëveshja përfshin edhe 300 mijë euro bonuse, të lidhura me numrin e paraqitjeve të futbollistit.
Vojvoda pritet të nënshkruajë një kontratë dyvjeçare, me mundësi vazhdimi edhe për një sezon tjetër.
Për mbrojtësin kosovar, kjo do të jetë përvoja e tretë në Serie A. Ai luajti fillimisht me Torinon, më pas kaloi te Como, ndërsa tani është gati të nisë një kapitull të ri të karrierës me fanellën e Udineses.
I formuar në Belgjikë, ku zhvilloi hapat e parë në akademitë e futbollit dhe u afirmua te Standard Liege, Vojvoda ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në Itali dhe mbetet një nga lojtarët më të rëndësishëm të Kombëtares së Kosovës.

