Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka dënuar sërish deklaratat e ministres serbe Snezhana Paunoviq lidhur me Kosovën, duke vlerësuar se një zyrtare që bën deklarata të tilla nuk duhet të vazhdojë të ushtrojë detyrën.
Gjatë fjalës së saj në Komitetin e Posaçëm për Mburojën e Demokracisë Evropiane në Parlamentin Evropian, Kos tha se ishte e tronditur nga deklaratat e ministres serbe, duke theksuar se ato janë të papranueshme.
“Ishte tronditëse të dëgjonim diçka të tillë në vitin 2026. Nuk do ta përsëris as atë që ajo tha. Ishte vërtet tronditëse të dëgjohej një deklaratë e tillë. Nuk mund ta imagjinoj që një ministre, pas një deklarate të tillë publike, të mund të vazhdojë të ushtrojë detyrën e saj”, u shpreh Marta Kos.
Deklarata e komisionares vjen pas reagimeve të shumta ndërkombëtare ndaj ministres serbe, e cila në një intervistë kishte bërë deklarata që u interpretuan si justifikim i spastrimit etnik të shqiptarëve në Kosovë.

