Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e 29-të elektronike, në të cilën ka miratuar disa vendime që lidhen me furnizimin me ujë, arsimin në gjuhën shqipe në Luginën e Preshevës dhe zhvillimin e sektorit të inovacionit e teknologjisë.
Një nga vendimet e miratuara është dhënia në shfrytëzim afatgjatë pa kompensim e pronave të menaxhuara nga Agjencia Pyjore e Kosovës, për nevojat e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit KRU “Mitrovica” Sh.A..
Sipas njoftimit të Qeverisë, ky vendim synon realizimin e projektit për sigurimin e furnizimit me ujë të pijshëm për Komunën e Leposaviqit.
Mbi 255 mijë euro për tekste mësimore në gjuhën shqipe në Luginën e Preshevës
Në mbledhje është miratuar edhe ndarja e mjeteve buxhetore në vlerë prej 255 mijë e 153.45 euro, të destinuara për pajisjen me tekste mësimore në gjuhën shqipe të nxënësve shqiptarë që ndjekin mësimin në gjuhën shqipe në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Mjetet janë paraparë për vitin shkollor 2025/2026, me qëllim të mbështetjes së arsimit në gjuhën shqipe për nxënësit në këto komuna.
40 mijë euro për inovacion dhe transformim digjital
Qeveria në detyrë ka miratuar gjithashtu ndarjen e 40 mijë eurove për mbështetjen e organizimit dhe realizimit të ngjarjeve ndërkombëtare në fushën e inovacionit, teknologjisë, ndërmarrësisë dhe transformimit digjital.
Sipas njoftimit, këto aktivitete synojnë promovimin e Republikës së Kosovës, forcimin e imazhit ndërkombëtar, zhvillimin e ekosistemit vendor të inovacionit dhe rritjen e prezencës së Kosovës në iniciativa globale të teknologjisë.
Mjetet do të ndahen për dy organizata:
- FLOSSK – Free Libre Open Source Software Kosova, me 20 mijë euro;
- ICK – Innovation Center Kosovo, me 20 mijë euro.
Vendimet u morën gjatë mbledhjes së 29-të të Qeverisë në detyrë të Republikës së Kosovës.

