Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se janë shkëputur kontratat e punës për 20 zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) nga komuniteti serb, të cilët, sipas saj, kanë qenë të lidhur edhe me ish-“Mbrojtjen Civile”.
Sipas njoftimit të Pacollit, vendimi për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës është marrë për shkak të mungesës së vazhdueshme në vendin e punës dhe në përputhje me rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Ajo ka deklaruar se nga evidencat zyrtare ka rezultuar se këta zyrtarë, të punësuar në MMPH që nga 5 janari 2016, nuk kanë përmbushur detyrimet që burojnë nga marrëdhënia e punës, përfshirë respektimin e orarit dhe kryerjen e detyrave zyrtare.
“Do të vendosim ligjshmëri të plotë dhe standarde të njëjta për secilin në administratën publike. Askush nuk mund të mbajë statusin e të punësuarit pa përmbushur detyrimet që i takojnë”, ka shkruar Pacolli.
Ajo ka theksuar se zbatimi i ligjit do të bëhet pa dallim përkatësie etnike apo pozite, duke shtuar se administrata publike duhet të funksionojë mbi bazën e përgjegjësisë dhe respektimit të detyrës zyrtare.
Ky vendim vjen në kuadër të përpjekjeve të institucioneve për rritjen e llogaridhënies në administratën publike dhe verifikimin e funksionimit të marrëdhënieve të punës në institucionet shtetërore.

