Deponia e mbeturinave në Sferkë të Pejës është përfshirë sërish nga zjarri, duke rikthyer shqetësimet e banorëve të zonës, të cilët prej vitesh përballen me ndotjen e ajrit dhe tymin që vjen nga kjo deponi.
Banorët e fshatrave të Pejës dhe Klinës kanë protestuar vazhdimisht kundër situatës, duke thënë se problemi me zjarrin në deponi zgjat prej më shumë se dy dekadash. Sipas tyre, tymi dhe era e rëndë kanë ndikuar seriozisht në cilësinë e jetës dhe në shëndetin e banorëve.
Mbrëmjen e së hënës, gjatë protestës në Sferkë, u raportua se disa persona kanë pësuar probleme shëndetësore si pasojë e tymit.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, bëri të ditur se një person është dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Pejës, ndërsa disa persona të tjerë janë trajtuar në vendngjarje nga ekipet mjekësore.
“Prokurori i Shtetit ka kërkuar që të shtohen masat e ekipeve të zjarrfikësve në vendin e ngjarjes për ta lokalizuar zjarrin”, deklaroi Nikçi.
Ai shtoi se edhe gjatë javës së kaluar, kur zjarri përfshiu deponinë, përveç Policisë së Kosovës, Prokuroria kishte angazhuar edhe një ekspert të zjarreve për të hetuar shkaqet e incidentit.
Sipas Nikçit, eksperti do të përgatisë një raport që do t’i dorëzohet Prokurorisë, ndërsa nëse konstatohet se zjarri është shkaktuar nga faktori njeri, do të ndërmerren veprimet e nevojshme ligjore.
“Eventualisht, nëse është nga faktori njeri, do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për arrestimin e personit apo personave përgjegjës”, theksoi ai.
Autoritetet po vazhdojnë përpjekjet për lokalizimin e zjarrit, ndërsa banorët kërkojnë zgjidhje afatgjatë për deponinë e Sferkës, duke e cilësuar situatën si një rrezik të vazhdueshëm për shëndetin dhe mjedisin.

