Lëvizja VETËVENDOSJE! ka njoftuar se më 1 gusht, ditën e shtunë, do të organizojë pritjen tradicionale për mërgatën në Prishtinë.
Sipas njoftimit të kësaj partie, aktiviteti do të mbahet në Sheshin “Adem Jashari”, ku pritet të marrin pjesë simpatizantë, anëtarë, aktivistë të Lëvizjes dhe bashkatdhetarë.
Në këtë takim do të marrë pjesë dhe do të jetë folës edhe kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, njëherësh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Takimi është planifikuar të fillojë në ora 20:00, ndërsa organizatorët kanë ftuar qytetarët dhe familjet e tyre që t’i bashkohen këtij aktiviteti.

